Ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë vit, Kisha Ungjillore Burrel, mbështetur nga Mat Televizion, në prag të festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ka menduar të ndajë dhurata për fëmijët e Matit. 150 pako u ndanë për nxënësit e shkollave “Abdyrrahman Përmeti”, Lis, aneksin Gjalish dhe shkollën 9-të vjeçare “Ramadan Gjoka” Shëlli. Ndarja e pakove nisi me shkollën e Lisit ku nxënësit nga kopshti deri në klasën e nëntë morën dhuratën e festave të fundvitit. Marrjen e dhuratave fëmijët e kthyen në festë.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Abdyrrahman Përmeti” Lis, Afërdita Bruçi, falenderoi Kishën Ungjillore Burrel dhe Mat Televizion për dhuratat e fëmijëve.
Edhe fëmijët e shkollave anekse në fshatin Gjalish e ato të shkollës 9-të vjeçare “Ramadan Gjoka” në Shëlli ju gëzuan dhuratave të marra nga Kisha Ungjillore Burrel. Edhe në këto dy institucione arsimore, fëmijët nga kopshti deri në klasën e nëntë morën pakon e dhuratave.
Pastori i Kishës Ungjillore Burrel, Rustem Beqiri tha se tradita për dhënien e pakove që lumturojnë fëmijët do të vazhdojë.