Këshilli i Bashkisë së Matit ka zhvilluar këtë të Martë mbledhjen e parë pas konstituimit të tij. Në rendin e ditës ishin parashikuar 12 pika të cilat u shqyrtuan një e nga një secila. Këshilli e nisi mbledhjen me pikën e parë të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së sekretarit të këshillit bashkiak. Me shumicë votash u rizgjodh për një mandat katër vjeçar sekretare e Këshillit Bashkiak Mat, Edlira Palamani. Në pikën e dytë këshilli diskutoi dhe miratoi komisionet e përhershme të këshillit Bashkiak. Pasi u njohën me projekt-vendimin nga drejtuesit e shërbimit social, Këshilli Bashkiak Mat miratoi fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin Maj.

https://youtu.be/roEco5SlZxY

Në pikën e katërt dhe të pestë mbi dhënie statusi i pastrehë dhe vendimit për 25 familje përfituese të programit të strehimit social për vitin 2023, këshilltarët kërkuan më shumë informacion dhe propozuan për shtyerje, por kjo nuk u votua nga shumica e pranishme. Këshilltarët e pranishëm miratuan projekt-vendimin për bashkëfinancimin e projektit të rikonstruksionit të ish hotelit të uzinës. Vendimet pasardhëse këshilltarët i morën për shtesë në buxhetin e këtij viti dhe një ndryshim në të. Në pikën e nëntë të rendit të ditës, këshilltarët miratuan projekt-vendimin e paraqitur nga bashkia për bllokimin e lëvizjes së automjeteve të tonazhit të rëndë në rrugën “Kthesa e Sanës – Muzeu – Kryqëzimi i Koliqit – Kthesa e Daçit”. Në pikën e 10 këshilli diskutoi dhe miratoi projekt-vendimin e dhënies me huapërdorje pasurive të paluajtshme 2/26 dhe 2/306 zona kadastrale 1326 Burrel, Drejtorisë Rajonale të Ofrimit të Formimit Profesional Publik për Zonën Verilindore. Në pikën e fundit, këshilli miratoi vendimin për përdorimin e fondit të kushtëzuar për rehabilitimin e rrugës së fshatit Shqefën dhe urës së Gërmanit, të dëmtuara nga kushtet atmosferike.