KËSHILLI BASHKIAK MAT VAZHDON DËGJESAT PUBLIKE PËR REFORMËN TERRITORIALE

KËSHILLI BASHKIAK MAT VAZHDON DËGJESAT PUBLIKE PËR REFORMËN TERRITORIALE

Këshilli Bashkiak i Matit ka vijuar turin e dëgjesave publike në kuadër të konsultimit me qytetarët për draftin e propozuar nga mazhoranca për reformën e re administrativo-territoriale. Ndalesa e radhës ishte Njësia Administrative Ulëz, ku banorët u njohën me propozimin për bashkimin e Bashkive Mat dhe Klos në një njësi të vetme vendore. Gjatë takimit u shprehën qëndrime të ndryshme lidhur me këtë ndryshim të propozuar. Një nga çështjet kryesore të ngritura nga banorët e Ulzës lidhej me statusin e qytetit. Banorët kërkuan që Ulza të mos e humbiste statusin e qytetit dhe e krahasuan këtë çështje me propozimin për dhënien e këtij statusi fshatit Kastriot në Dibër. Ata kërkuan që edhe Ulza të përfshihej në këtë kategori, duke e konsideruar statusin e qytetit si një element të rëndësishëm për identitetin dhe zhvillimin e zonës. Më pas, dëgjesa publike u zhvillua me banorët e Njësisë Administrative Baz, ku gjithashtu u paraqitën qëndrime të ndryshme mbi reformën e propozuar territoriale. Banorët i argumentuan pozicionet e tyre në lidhje me bashkimin e Matit me Klosin, duke u ndalur te mënyra se si ky ndryshim do të ndikonte, sipas tyre, në autonominë dhe funksionimin e pushtetit vendor. Pas Ulzës dhe Bazit, turi i dëgjesave do të vijojë edhe në Njësitë Administrative Lis, Rukaj, Komsi dhe në qytetin e Burrelit. Takimet pritet të shërbejnë si një tjetër mundësi për qytetarët që të shprehin qëndrimet e tyre mbi ndryshimet e propozuara administrative-territoriale, ndërsa procesi i konsultimit publik do të vijojë me përfshirjen e komuniteteve të tjera të Bashkisë Mat.