Këshilli Bashkiak Mat miraton me 14 vota mendimin për reformën territoriale
Pas përmbylljes së dëgjesave publike në 8 Njësi Administrative, Këshilli Bashkiak Mat zhvilloi të hënën e 21 shtatorit një mbledhje jashtë radhe, ku mes disa pikave ishte edhe ajo për reformën administrative territoriale. 20 këshilltarët nga 21 që ishin të pranishëm gjithsej në këtë mbledhje ku u diskutua projekt-drafti për reformën administrative territoriale 2.0. Këshilltarët dhanë mendimin e tyre në lidhje me propozimin e mazhorancës qeverisëse, i cili parashikon që Bashkia Klos të mos jetë më njësi e vetëqeverisjes vendore por t'i bashkohet Bashkisë së Matit. Pas fjalës së mbajtur nga këshilltarët e pranishëm në këtë mbledhje, kjo pikë e ditës u kalua në votim. 14 këshilltarë votuan pro draftit që propozon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat, ndërsa 5 këshilltarë votuan kundër dhe një abstenoi. Këshilli Bashkiak Mat dhe Kryetari i Bashkisë do të dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë mendimin e arritur në lidhje me bashkimin e Matit dhe Klosit në një Njësi vendore të vetme, ndërsa drafti final pritet të kalojë në parlament për votim në datën 8 Tetor.