Kërçishti i Sipërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër, është përzgjedhur në programin e 100 fshatrave tuiristik, program ky i qeverisë shqiptare i lançuar afro katër vite më parë. Por banorët e këtij fshati nuk shohin ndonjë investim konkret që t’i shërbejë turizmit në fshatin e tyre. Investimet në këtë drejtim sipas banorëve janë me pikatore, ku përmendin vetëm një rrugë brenda fshatit të shtruar me kalldrëm e disa shtylla ndriçimi. Banorët listojnë një sërë problemesh që nisin nga mbajtja pastër e mjedisit e deri tek mungesa e ujit të pijshëm, ndotja nga ujërat e zeza etj. Ata shprehen se në fshatin e tyre duhej të ishte investuar shumë vite më parë, por edhe pse ka resurse të mëdha turistike është lënë jashtë vëmendjes.
Një ndër problemet madhore është rruga kryesore e këtij fshati nga Maqellara deri në Qendër të tij. Djemtë që janë në emigracion kur kthehen me pushime investojnë privatisht për ta rehabilituar rrugën çdo verë që vijnë pranë familjeve të tyre.
Fshati Kërçisht i Sipërm në Maqellarë ka resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit natyror, por mungesa e investimeve në të, ka penguar zhvillimin e këtij turizmi.