Ky është fshati Kërçisht i Epërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës i përzgjedhur nga qeveria si një nga 100 fshatrat turistik të Shqipërisë. Por ndonëse vendimi për të është marrë afro një vit më parë, banorët ankohen për kushtet më bazike të tyre. Sipas banorëve, fshati që pritet t’i kthehet në shërbim turizmit, i mungon uji i pijshëm e ai vaditës.
Por jo vetëm kaq, në fshatin Kërçisht i Epërm ujërat e ndotura rrjedhin në sipërfaqe duke u kthyer në burim infeksioni për qindra banorë të tijë. Mbeturinat hidhen kudo nëpër përrenj pasi në fshat nuk është shtrirë shërbimi i grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave të konsumit të përditshëm. Banorët thonë nga ana tjetër se deri tani nuk kanë parë asnjë investim në fshat jo vetëm që do t’i shërbente turizmit, por as për përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre aty.
Ndonëse fshati Kërçisht i Epërm ka vlera të mëdha për zhvillimin e turizmit natyror, investimet nuk po duken në të. Banorët e këtij fshati që është ngjitur me Maqedoninë e Veriut, shpresojnë që Bashkia dhe Qeveria t’i kthejë sytë edhe nga ata.