Profesionin që ushtrojmë në jetë jo të gjithë e zgjedhim, e sidomos brezat para viteve 90-të, ku shumë të rinjëve ju mohohej e drejta e arsimimit. Ky është 75 vjeçari Dilaver Cani nga fshati Zerqan i Bulqizës. dilaveri ushtron profesionin e këpucarit në fshatin e tij prej 55 vitesh. Ai thotë se kjo punë nuk ishte në dëshirën e tij por ju imponua nga sistemi i dikurshëm. Para viteve 90-të, Dilaveri punonte për shtetin ku të ardhurat që siguronte nga riparimi i këpucëve ja dorëzonte kooperativës bujqësore e kjo e fundit i jepte një përqindje si rrogë.

Me prishjen e regjimit monist, Dilaveri nuk e braktisi fshatin e tij ku vazhdon ta ushtrojë këtë profesion në qendër të fshatit. Ai shprehet se jo vetëm bashkëfshatarët i riparojnë këpucët aty, por edhe banorë të fshatrave të tjerë. Megjithëse nuk ishte dëshira e tij për tu bërë këpucar, sot në moshën 75 vjeçare, Dilaver Cani thotë se nuk do ta lë deri në fund të jetës.

Edhe pse gjatë gjithë jetës së tij Dilaver Cani punoi si këpucar, pasioni i tij është historia. Në shtëpi ka krijuar një bibliotekë me dhjetra libra historie, ndërsa për të, formimi i shtetit shqiptar është bërë nga Mbreti Ahmet Zogu dhe se me kushtetutën e tij po ecet edhe sot.