Situata me karkalecin sulmues të kulturave bujqësore në vendin tonë nga veriu në jug ka vënë në lëvizje institucionet qëndrore që merren me sektorin e bujqësisë.

Pas lajmit të transmetuar në “Mat Televizion” pak ditë më parë në lidhje me praninë e karkalecit dëmtues në të mbjellat me grurë, ka mbërritur një grup ekspertësh nga Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Tiranë që përfshin edhe Qarkun Dibër.

Burime për “Mat Tv” thanë se specialistët dhe përfaqësuesit e kësaj Agjencie kanë parë në terren situatën dhe do të bëjnë një vlerësim të rrezikut që i kanoset parcelave të mbjella me grurë.

Kujtojmë se tre vatrat me karkalecin sulmues në rrethin e Matit ishin në “Kongrazhd”, fshati Burrel dhe lagjja “Shkorsë” e fshatit suç në Bashkinë e Klosit.

https://youtu.be/fPlJvhQ0BXo

Sipas verifikimeve paraprake të bëra nga specialistët e Zyrës së Agjencisë së Ekstensionit Bujqësor në Mat, sipërfaqja e infektuar shkon deri në 150 hektar, ndërsa dëmi për momentin nuk është shumë i madh për shkak të shirave që kanë rënë deri javën e kaluar. Megjithatë, rrisku mbetet ende i lartë deri sa të bëhet korrja e grurit, pasi karkaleci është shumë agresiv dhe i pangopur.