Rritja e temperaturave ka nisur të krijojë edhe nevojën e vaditjes e për këtë pushteti vendor është hedhur në aksion për vënien në efiçencë të të gjitha veprave vaditëse. Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, shprehet se me përmirësimin e motit, puna është intensifikuar për të vënë në funksion kanalet vaditëse në çdo njësi administrative.

Sipas tij, reshjet e shirave të rëna deri pak ditë më parë kanë penguar punën në terren, ndërsa tashmë po punohet në kanalin e Setës, si dhe vepra të tjera në Komsi e Baz. Sipas Kryebashkiakut të Matit, Nezir Rizvani, të gjitha veprat vaditëse do të jenë në funksion të fermerëve shumë shpejt.

Nga ana tjetër Rizvani tha se problem mbetet kanali vaditës i Batrrës së Madhe për shkak të dëmtimit të veprës së marrjes, e megjithatë sipas tij edhe ai do të zgjidhet provizorisht që fermerët të mos mbeten pa vaditje.