Pas afro tre vitesh në krye të Klubit të Futbollit Burreli, Administratori Bajram Ballabani ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Dorëheqja e Ballabanit është firmosur një ditë më parë nga Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili është edhe zyrtarisht president i Klubit. Ndërsa të Martën, Bajram Ballabani e njoftoi largimin e tij edhe para skuadrës dhe drejtuesve të stafit Teknik, ku prezent ishte edhe vetë kryebashkiaku Malaj. Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj falenderoi Ballabanin për bashkëpunimin e frytshëm në këto vite që ishte në krye të klubit, i cili është reflektuar në ndërtimin e një skuadre dinjitoze dhe krijimin e kushteve komode në stadium.
“Administratori i Klubit largohet për arsye personale drejtimi i këtij klubi. Ky nuk është largim i rezultateve sepse ne jemi me rezultate shumë të mira dhe do t’i vazhdojmë. Është largim për arsyet e tija personale e familjare. Është bërë një punë shumë e madhe prej tri vitesh. Unë e falenderoj përzemërsisht për të gjithë punën që ka bërë. Në fakt Bajrami nuk ka qenë thjeshtë administrator por ka kontribuar edhe ekonomikisht për shumë nevoja që ka patur klubi, sidomos stadiumi. Ka bërë një punë shumë voluminoze që rrall administrator mund ta bëjë. Unë e falenderoj edhe si bashkëpunëtorin tim më të ngushtë gjatë këtyre viteve që ta ngrinim këtë ekip nga gjendja në të cilën e morëm dhe ta shohim në gjendjen që është sot dhe pretendojmë për ta çuar akoma më lart, drejt superligës. Unë e di që Bajrami do të vazhdojë të jetë pjesë e jona pasi ka 40 vite që e ndjek skuadrën kudo si ndër tifozët më besnik të saj. Unë e falenderoj përzemërsisht për të gjithë punën që ka bërë dhe i uroj suksese në jetën tënde e angazhimet e tua personale. Ekipi do të vazhdojë të ecë përpara ku do të ketë administrator tjetër, ndërsa momentalisht do të administrohet nga sektori i sporteve. Unë do të je mi pandashëm nga ju sëbashku me stafin teknik që bashkë me juve të ecim përpara. Sfida e radhës është të dielën dhe unë jam i bindur që ju do ta fitoni këtë ndeshje” – tha Malaj.
Sakaq, vetë ish Administratori Bajram Ballabani tha se këto vite kanë qenë një sfidë për të dhe se vetëm me bashkëpunimin e të gjithëve është arritur që Burreli të rikthehet dinjitetshëm në garën e futbollit në kategorinë e parë. Po ashtu, Ballabani shtoi se mbështetja e dhënë nga kryebashkiaku Agron Malaj ka qenë një motivim më shumë për të arritur rezultate.
“Unë të falenderoj për mirëkuptimin dhe pranove kërkesën time për dorëheqje dhe për bashkëpunimin që kemi patur në këto tri vite. Ne e dim të gjithë se në çfarë gjendje e gjetëm nga ana e kushteve, si fushën dhe ambjentet e tjera. Ekipi kishte dy a tre vite që rrezikonte rënien por ne bëmë maksimumin dhe e mbajtëm duke mos lejuar rënien e tij në kategorinë e dytë. Të përgëzoj (i drejtohet kryebashkiakut Malaj) pasi ishe një njeri që na ke mbështetur fuqimisht, si një njeri i guximshëm pasi fjalën e dhënë e ke mbajtur dhe për këtë të falenderoj në emër të të gjithëve. Nuk do të ndërpitet bashkëpunimi ynë këtu por vetëm po lë detyrën si drejtues i Klubit, me keqardhje e them këtë, por do të vazhdoj të jemi bashkëpunues dhe do ta ndjek hap pas hapi si dhe për sa mundësi do të kem do ta mbështes edhe nga ana financiare. Më vjen mirë që edhe unë kontribuova për vendin tim, për ekipin tonë duke dhënë maksimumin ditë e natë sëbashku me ju për t’i ndryshuar imazhin Burrelit dhe besoj që ja kemi arritur me mbështetjen e fuqishme tuajën e të donatorëve të ndryshëm. Dua të falenderoj edhe djemtë të cilët i janë bashkuar Burrelit dhe trajnerin Saimir Patushi i cili ka afruar lojtarë të rinj duke e bërë ndër ekipet me moshën më të re në këtë kampionat. Pavarësisht rezultateve të luhatshme këtë sezon që një pjesë e tyre janë ndikuar nga fati, me pak fat e bashkëpunim më të mirë do të ishim në krye të grupit aktualisht. Por unë i përgëzoj të gjithë papërjashtim dhe të ecin para duke bërë stërvitje pasi çdo gjë arrihet me mund e me djersë. Kam shpresë dhe besimin e madh tek ju që do të gjeni njeriun e duhur dhe që këtë që kemi arritur deri tani ta çoni më lart që Burreli të shkojë sëshpejti në superligë. Uroj me gjithë zemër që Saimir Patushi ashtu siç ka qenë kampion në skuadrat më të mira të vendit, ta dërgojë edhe ekipin tonë në superligë. Kemi patur një objektiv që të afrojmë sa më shumë lojtarë matjan, pasi e kemi gjetur pothuajse pa asnjë në formacionin zyrtar dhe deri diku e kemi arritur edhe këtë objektiv pasi janë 5-6 lojtarë matjan, duke përfshirë edhe ata që nuk jetojnë këtu por janë matjanë që jetojnë në kryeqytet. Duke të falenderoj këdo me të cilin kam bashkëpunuar dhe po largohem me kokën lart. I përgëzoj djemtë edhe për fitoren e fundit të cilën e përjetova me shumë gëzim dhe të ecin në këtë rrugë pasi rezultatet vijnë, sepse stërviten e këta janë të përgatitur fizikisht janë të rrallë ekipe që i kanë të tillë. Unë ju përshëndes dhe ju uroj fitore të djelën dhe në ndeshjen pasuese me Korabin” – tha Ballabani.
Gjithashtu ish Administratori i KF Burreli, Bajram Ballabani falenderoi stafin e FSHF për bashkëpunimin që ka patur në këto 3 vite si dhe tifozërinë matjane e cila ka qenë një mbështetje e madhe në kete periudhë duke i ftuar ata të vazhdojnë ta ndjekin me qytetari, pa dhunë e ofendime. Të vazhdojnë të tregojnë se Burreli nuk është ashtu si e shohin të tjerët, por një vend që e do futbollin dhe ka qytetarinë që e udhëheq.