Në kuadër të turit “Javët e Evropës” që po zhvillohet nga delegacioni i Bashkimit Evropian në vendin ndalesa e radhës ishte në qytetin e Burrelit. Ky tur takimesh nisur nga Vermoshi dhe deri me datën 21 Prill do vizitohen 23 bashki në të gjithë vendin, për tu përbyllur me Konispolin. Zëvendës shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvan Gamber (Sylvain Gambert) zhvilloi fillimisht një vizitë me kryetarin e Bashkisë Mat, Agron Malaj ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit. Gamber tha se qëllimi i këtij turi është informimi i qytetarëve me projektet e BE që mund të zhvillojnë zonat e tyre. “Javët e evropës” janë një tur prej tre javësh që ne po ndërmarrim në të gjithë shqipërinë. Nga Vermoshi në Konispol gjatë këtyre tre javëve ne do të vizitojmë 23 bashki në të gjithë Shqipërinë. Kjo për të treguar që integrimi evropian nuk është thjeshtë në Bruksel, apo vetëm me delegacionin e bashkimit evropian në Tiranë por kudo nëpër shqipëri. Madje edhe këtu në Burrel, ose në zonat e thella apo rurale. Përshembull, ky shesh i cili po rindërtohet tani, kryetari i Bashkisë na informoi se po bëhet me fondet e Bashkimit Evropian. Një gjë tjetër që ne dëshirojmë të tregojmë me anën e këtij turi është angazhimi ynë me të rinjtë e Shqipërisë. Ne dëshirojmë të flasim me të rinjtë kudo që gjenden, për mundësi të ndryshme financimi, për studime jashtë vendit por edhe çfarë financimesh ekzistojnë për zhvillimin vendor, për zhvillimin e ekonomisë në rajone e për bizneset” – tha Gambert. Delegacioni i BE u zhvendos në një takim me nxënësit e gjimnazit “Pjetër Budi” të qytetit të Burrelit. Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të zyrës së Njësisë së Integrimit në BE pranë Bashkisë Mat, u diskutua për mundësitë e ndryshme që ekzistojnë, për integrimin e vendit në BE, etj. Po ashtu në murin rrethues të stadiumit “Liri Ballabani” u pikturua një pjesë e logos së turit tre javor të delegacionit të BE në vendin tonë shoqëruar me shkrimin” Evropa është këtu”.