Në kuadër të Javës së Demokracisë Vendore dhe zbatimit të projektit “Të veprojmë për aksesueshmërinë” i cili po zbatohet nga Fondacioni “Së bashku”, u zhvillua në ambjentet e Qendrës Kulturore Mat, aktiviteti “Mati pa barrier”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të projektit të Agjensisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Leziv Albania, Drejtuesja e Fondacionit “Së Bashku”, Suela Lala, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, të institucioneve të tjera në nivel qëndror e vendor, të organizatave lokale, të rinj të shkollave të qytetit të Burrelit etj. përfaqësuesja e Leviz Albania, Anai Martinez tha se qëllimi i aktivitetit është të vërë përballë pushtetin vendor me shoqërinë civile.
“Leviz Albania synon përmirësimin e demkoracisë vendore në Shqipëri. Demokracia vendore ka mjaftueshëm hapsira për përmirësim dhe ne besojmë që pa qytetarët e angazhuar dhe një shoqëri civile kjo nuk mund të arrihet. Dhe kur flasim për shoqërinë civile kuptohet që jo vetëm organizatat, por Leviz Albania mbështet edhe grupet informale apo individët në të gjithë vendin, duke inkurajuar gjithëpërfshirjen si dhe mobilizimin e komuniteteve në zonat urbane e ato rurale. Uroj që ky aktivitet të kontribuojë në konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë vendore duke promovuar sa më shumë shembuj konkret të aktivizmit dhe ndërveprimit të cilët na frymëzojnë e na japin energjinë e dëshirën për t’i çuar gjërat përpara”.
Drejtuesja e Fondacionit “Së bashku” Suela Lala, tha se qyteti i Burrelit ashtu si çdo qytet i vendit tonë ka shumë nevojë për përmirësimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara. Ajo kërkoi angazhim më të madh nga pushteti vendor për zgjidhjen e kësaj problematike.
“Në fakt problemi i aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara nuk është një problem lokal, por kombëtar në vendin tonë. Megjithatë në fillim në qytetin e Burrelit konstatuam shumë mangësi qoftë tek institucionet publike apo dhe rrugët. Një ndër problemet e ngritura nga personat me aftësi të kufizuara ishte mungesa e rampës tek hyrja e gjendjes civile. ky institucion është i frekuentueshëm nga të gjithë, ndaj dhe kishte nevojë. Menjëherë pas kërkesës së dërguar tek komisionieri për diskriminimin, Bashkia Mat reagoi dhe ndërtoi rampën, çka për këtë duhet falenderuar. Por problemet nuk janë zgjidhur pasi ka ende punë për tu bërë, në vendparkimet e personave me AK, apo akseset në institucionet publike” – tha Lala.
Më pas për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar i cili tregonte vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar në qytetin e Burrelit, qoftë me aksesueshmërinë e institucioneve publike e deri tek vendparkimet për këtë kategori në qytet. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, mori angazhim maksimal për ta ndryshuar gjendjen në qytetin e Burrelit. Malaj tha se ndryshime do të nisë menjëherë tek projektet që po zbatohen.
“Ne jemi të vetëdijshëm që personat me aftësi të kuyfizuara përballen me shumë problematika. Ndërhyrja që bëmë tek Zyra e Gjendjes Civile nuk ishte as e para por nuk do të jetë as e fundit. Qyteti i Burrelit është në momentet e investyimeve në të, ku aktualisht do të bëhet riveshja e rrugëve me asfalt, sistemimi i parkimeve, rikonstruksioni i rrugëve të Parkut Geraldinë apo Sheshit “Ahmet Zogu”. Ne do të kemi vëmendjen më të madhe në vazhdim ku ndryshimet do të prekin parkimet për këtë kategori bashkë me sinjalistikën e nevojshme si dhe krijimin e aksesueshmërisë në të gjitha institucionet publike. Ju premtoj që Bashkia Mat do të jetë mbështetëse e fortë e kësaj kategorie” – tha Malaj.
Më pas kaloi në formë debati mes të pranishmëve ku u kërkua më shumë informacion nga ana e pushtetit vendor dhe u ngritën problematika të ndryshme.