Gjashtë ndeshjet e kategorisë së parë në futboll do të ndahen në tri ditë në javën e 15 të kampionatit të kësaj kategorie. Të shtunën u zhvillua vetëm një takim ai mes Lushnjës dhe Apolonisë, ndeshje e cila u fitua 2 me 0 nga skuadra lushnjare. Ndërkohë, të dielën do të zhvillohen katër përballje, ajo mes Valbonës dhe Vorës, Flamurtarit dhe Kukësit, Kastriotit dhe Besës si dhe Korabit me Erzenin. Ndërsa të hënën zhvillohet përballja e fundit e javës së 15, Pogradeci – Burreli.

Skuadra matjane, e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, do të ketë mundësinë të stërvitet edhe një ditë më shumë për këtë përballje, ndërsa optimizmi mbetet për një rezultat pozitiv në këtë transfertë të vështirë, kjo pasi Pogradeci është vetëm dy pikë larg Burrelit dhe një fitore e mundshme e tij do të bënte që skuadrat të ndërronin vendet në renditje.

Aktualisht Burreli vijon të mbajë vendin e 5 nga 12 skuadra në garë, dhe është në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Pogradeci pozicionohet në vendin e 7 në kuotën e 19 pikëve.

Aktualisht kategoria e parë kryesohet nga Vora me 34 pikë, ndjekur nga Besa e Flamurtari me nga 32 pikë.