Në aksin rrugor Klos – Burrel u investuan 3.7 milion euro, por shumë vepra arti nuk u prekën gjatë rehabilitimit të plotë të kësaj rruge nacionale. Problematikat në këtë rrugë janë të ndryshme, ku një ndër ta është edhe ura e Lusës. Kjo urë ka një çedim në anën jugore të saj, duke vënë në rrezik drejtuesit e mjeteve. Janë këta të fundit të cilët janë ankuar për këtë problem.
Por ky nuk është problemi i vetëm mbi këtë urë. Barrierat prej betoni janë të dëmtuara në disa vende në të dy anët e urës. Edhe pse ato ka një kohë të gjatë në gjendje të tillë, firma mirëmbajtëse e aksit nuk ka ndërhyrë për t’i rregulluar.
E dëmtuar është edhe barriera metalike në hyrje të urës. Kjo barrierë është prishur disa herë për shkak të goditjes që ka marrë nga mjetet. Ajo është pothuajse e hequr nga bazamenti. E si të mos mjaftoni këto, i gjithë aksi vijon të ketë problem sinjalistikën vertikale. Tabelat e vendosura në karrexhatë vijojnë të dëmtohen nga mjetet e mëdha kur kalojnë paralelisht. Ndërsa kjo tabelë e cila ndodhet fare pranë kthesës tek ura e Lusës, të orjenton lëvizjen jashtë rruge, ndonëse sipas specialistëve rrugor, vendi i saj duhej të ishte në afërsi të kthesës së radhës në drejtim të Burrelit. Ndonëse projekti e thotë qartë që 19.2 milion euro janë për mirëmbajtje dhe siguri rrugore, kjo e fundit lë për të dëshiruar në aksin rrugor Skuraj – Peshkopi, përfshirë edhe segmentin Burrel – Klos