Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duket se nuk mund të qëndrojnë larg kryeministrit Edi Rama, pasi këtij të fundit i ka komentuar edhe në rrjetet sociale. Disa ditë më parë, kreu i qeverisë ka ndarë pamjet e një investimi të bërë në zonën e Lurës, e pikërisht në atë postim, Lleshaj nuk ka qëndruar dot pa komentuar, duke i shprehur dhe përgëzimet e tij kryeministrit. Ndërkohë diçka tjetër që vihet re në profilin e ish-ministrit është se që prej komentit në faqen e Ramës, ka nisur që të shpërndarë çdo video të nxjerrë nga “ERTV”.
POSTIMI DHE KOMENTI:
Edi Rama: MIRËMËNGJES dhe me projektin e punës së nisur për 64 km të reja rrugë turistike, nga Perlati në Fushë Lurë e deri në Arras, e cila do të zbulojë një tjetër mrekulli të fshehur të Shqipërisë siç është zona e magjishme e Lurës, ju uroj një ditë të mbarë
Sandër Lleshaj: Me këtë rrugë shqiptarëve u hapet mundësia të njohin një ndër pjesët më të bukur te Atdheut. Përgëzime Edi Ramës për fjalën e mbajtur.
Që prej shkarkimit nga detyra si ministër i Brendshëm, Lleshaj është shfaqur rrallë në jetën politike dhe në studio televizive. Por duket se do të ketë një rikthim të tij, pasi disa javë më parë ai shoqëroi kryeministin gjatë vizitës në Vatikan. Por cila do të jetë vallë detyra e re që do të ngarkohet për të?