Remulli, fshati i fundit pa rrugë, bëhet me rrugë
Fshati Rremull në Njësinë Administrative Rukaj në Bashkinë e Matit, ka qenë një ndër katër fshatrat që nuk ka patur rrugë automobilistike. Pas kaq shumë vitesh 500 banorët e këtij fshati tashmë jo vetëm që kanë një rrugë kryesore që e lidh me fshatrat e tjerë të Njësisë Rukaj dhe të njësisë Derjan, por ka rrugë edhe në lagje. Kjo është bërë e mundur me ndërhyrjen e Bashkisë Mat, nëpërmjet drejtorisë së shërbimeve. Kryetari i Fshatit Rremull, Shkëlqim Lleshi tha se gjatë punës nuk janë hasur problematike me banorët.
Ndërsa banorët e kanë mirëpritur investimin, pasi gjatë këtyre viteve nuk mund të transportonin asgjë me mjete në banesat e tyre, por kjo realizohej me kafshë ngarkese.
Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani i cili pa nga afër punimet, tha se më shumë se 4 kilometra rrugë është hapur e re, pa përfshirë këtu rrugët e brendshme të lagjeve.
Puna për hapjen e rrugëve në fshatin Rremull pritet të mbyllet kur të bëhet lidhja e plotë me fshatin Rukaj.
