Brenda harkut kohor të një muaji ekipi i parë i futbollit “Burreli”, do të ketë ambjente krejtësisht të reja për stërvitjen. Punimet për rikonstruksionin e fushës së stërvitjes po ecin me ritme të shpejta në mënyrë që skuadra e parë të mos stërvitet më në ambjentet e brendshme fushës të stadiumit “Liri Ballabani”. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj i cili pa nga afër punimet, tha se investimet në terrenet sportive do të vijojnë. Malaj u shpreh se këto ambjente nuk do të jenë vetëm për stërvitjen e ekipit apo grupmoshave, por në to do të ndërtohet edhe një kalçeto.

Po ashtu vijon puna edhe për vendosjen e 1 mijë stolave në tribunën e stadiumit “Liri Ballabani”. Gjithashtu është investuar edhe në ambjentet e brendshme të tij që nga shtrimi me pllakë e deri tek orenditë e nevojshme për sportistët, stafin e gjyqtarëve etj.
Me datë 18 Shtator skuadra e Burrelit do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi kundër ekipit të Tomorit të Beratit. Deri në këtë ndeshje ambjentet sportive në stadium do të jenë gati për të pritur tifozërinë.
Dritan Kurti