Investime në fshatin Pilafe të Dibrës, rrugë e asfaltuar dhe sistem i kanalizimeve
Bashkia e Dibrës ka nisur një investim në fshatin Pilafe të Njësisë Administrative Tomin. Prej vitesh ky fshat përballej me gjendjen e amortizuar të rrugës së fshatit të tyre që i lidhte me qytetin e Peshkopisë. Po ashtu, një tjetër problem ishte edhe sistemi i ujërave të ndotura që ishte kthyer në shqetësim madhor pasi ato rridhnin në sipërfaqe. Bashkia Dibër për këtë vit ka nisur një investim madhor në këtë fshat i cili do të zgjidhë përfundimisht problemin e rrugës dhe të ujërave të zeza. Zëvendëskryetari i Bashkisë Dibër, Lorenc Cibaku thotë se ky investim bëhet totalisht me buxhetin e Bashkisë Dibër dhe do të mbyllet shumë shpejt. Nga ana tjetër, Cibaku shprehet se investime të tjera janë parashikuar gjatë këtij viti në të gjithë territorin e Bashkisë Dibër. Fshati Pilafe është një nga fshatrat e radhës në Bashkinë Dibër që ka përfituar investime duke ndryshuar jetesën e banorëve.