Eksperti dhe ish zv/ ministri i Arsimit, Taulant Muka publikoi dy ditë më parë dy diploma të lëshuara në të njëjtën ditë nga Universiteti i Sussex, ku njëra prej tyre është diploma e Erion Veliajt dhe ajo është pa vulë. Veliaj e bëri publike diplomën në Tëitter në vitin 2015 për të treguar se e ka mbaruar masterin në Universitetin e Sussex. Sipas të diplomuarve në këtë Universitet dhe që kanë marrë diplomë, para apo pas diplomimit të Veliajt, ka shumë elementë që e bëjnë të dyshimtë dokumentin e prezantuar nga Veliaj. Sipas tyre, diploma e masterit ka disa vula të pakopjueshme, kurse ajo e kryebashkiakut nuk ka asnjë lloj vule. Aty mungon vula e bardhë e shtypur me formën e emblemës së Universitetit, pa a shumë si vulë noteriale. Kjo vulë e thatë është e pranishme në të gjitha Universitetet Britanike në diplomat master dhe është e pamundur të kopjohet.
Kërkimet
Përveç diplomës së marrë nga Universiteti i Sussex, kryetari Veliaj gëzon dhe një tjetër diplomë të marrë në Grand Valley State University (GVSU) në Amerikë. Nga diploma e publikuar rezulton se ai është diplomuar për Arte, në sistemin Bachelor. Ajo që vihet re është firma zyrtare në diplomën e Veliajt, e cila është identike me atë që universiteti shet online. Gazeta “Shekulli”, në datën 25 mars, i dërgoi një e-mail zyrtar universitetit, teksa shkruajmë: “Gazeta jonë ka nisur kërkimet, për diplomën e z.Erion Veliaj (kryetar bashkie në Tiranë, Shqipëri). Ai deklaron se këtë diplomë e ka marrë në universitetin tuaj, për këtë arsye donim t’u pyesnim: A është kjo një diplomë origjinale që e ofron universiteti juaj? E menduam këtë fakt kur pamë se nënshkrimi është identic me diplomën në faqen tuaj elektronike, ku nënshkrimi në Diplomë duhet të shfaqë bojën aktuale, në vend të një nënshkrimi të kopjuar për të siguruar legjitimitetin”, shkruan “Shekulli” më 25 mars.
Përgjigjet
Vetëm në pak orë Universiteti i Grand Valley State University, na udhëzoi procedurat që duhet të ndjekim për të verifikuar të gjithë të diplomuarit të cilët kanë qenë në vitin paralel, me kryetarin e bashkisë. Edhe pse verifikimi mund të behët lehtë nëpërmjet këtij siti (www.nsic.org) ku rezulton se diploma është marrë prej tij, ajo që mbetet ende pa përgjigje është vlefshmëria e saj. Pas kësaj, ne folëm sërish me Universitetin teksa e pyetëm për elementët e sigurisë dhe legjitimitetin e saj. Pas më shumë se një jave pritje, ne i dërguam e-mail në të dyja adresat zyrtare. Në të dyja e-mail-et ku patëm komunikim për sqarimin e kësaj çështjeje, universiteti nuk u përgjigj më në lidhje me rastin në fjalë. Alternativa jonë e fundit ishte një komunikim nëpërmjet telefonit, ku me 3 prill i telefonuam në numrin e tyre zyrtar (6163313327) në mënyrë të herë pas hershme. Në telefonatat e bëra, thirrjes sonë nuk iu përgjigj askush, ndërkohë pedagogu Taulant Muka tregon se do të dalë me detaje të reja për rastin./ Gazeta “Shekulli”