Baseni i liqenit të Ulzës pjesë e Parkut Rajonal me të njëjtin emër, është pasuruar me 80 mijë copë rasat të llojit ballgjan, omur e krap. Bashkia e Matit në bashkëpunim me firmën që administron hidrocentralin e Ulzës kanë bërë të mundur që nëpërmjet një marrëveshjeje të hedhin në liqenin e Ulzës 80 mijë copë rasat peshku, duke bërë të mundur shtimin artificial të ekonomisë së peshkimit në këtë zonë.
Të pranishëm në hedhjen e sasisë së parë prej afro 40 mijë ishin drejtues të kompanisë që menaxhon HEC Ulëz, drejtues të pushtetit vendor në Mat, të institucioneve qendrore në nivel vendor, të Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulëz, peshkatarë etj. Në fjalën e tij përfaqësuesi i kompanisë që menaxhon hidrocentralin, Gjergj Muçaj, tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se bashkia do të vendosë inspektorët e saj për të monitoruar gjuetinë e paligjshme në liqen e po ashtu vitin e ardhshëm do të ndajë nga buxheti i bashkisë një fond për blerje rasati që do të hidhet në liqenet Ulëz e Shkopet.
Edhe vitin e kaluar është hedhur në liqenet Ulëz e Shkopet një sasi prej 10 mijë copë rasat, duke kontribuar kështu në rritjen e ekonomisë së peshkimit në këtë zonë.