Rruga nacionale Klos – Burrel vijon të jetë e ndotur jo vetëm nga mbeturinat që hidhen gjatë konsumit të çastit të drejtuesve të automjeteve apo udhëtarëve, por edhe me inerte.
Kjo është pamja që ofrohet në këtë rrugë në afërsi të vendit të quajtur “Shkëmbi i Budit”.
Inertet në këtë segment rrugor janë nga më të ndryshmet që nga materialet që dalin nga rikonstruksioni apo prishja e objekteve e deri tek plastika.
Prania e interneteve në rrugën nacionale jo vetëm është ndotëse, por edhe një imazh negativ për të gjithë vizitorët jo vendës.
Nuk dihet se kush i ka depozituar mbetjet aty, por kushdo që prodhon mbetje inerte duhet të drejtohet pranë Bashkisë përkatëse dhe të marrë miratimin e hedhjes së inerteve në vendin e përcaktuar me vendim të këshillit bashkiak.
Leja shoqërohet edhe me tarifën që duhet të paguajë subjekti apo individi që kërkon të depozitojë mbetje të tilla pranë pikës së përcaktuar.