Mungesa e një venddepozitimi dhe mungesa e kontrollit nga autoritetet vendore ka bërë që inertet e dala nga punime të ndryshme të hidhen përgjatë rrugës nacionale Bulqizë – Ura e Vashës.
Siç duket nga pamjet, grumbuj inertesh janë depozituar vend e pavend, ndërsa nuk dihet burimi nga kanë ardhur. Banorët që jetojnë përgjatë rrugës thonë se ato shkarkohen gjatë natës për t’ju shmangur syrit të kalimtarëve apo autoriteteve.
Në fakt situata ka qenë vazhdimisht problematike në segmentin e rrugës nga vendi i quajtur “Pishat” e deri në Qafën e Buallit në Bulqizë. Të gjithë ata që kryejnë punime të ndryshme në objekte private, i hedhin mbeturinat anash rrugës duke krijuar jo vetëm ndotje por edhe pamje të shëmtuar.
Me hapjen e rrugës së Arbrit fenomeni është zhvendosur edhe në fshatin Plan i Bardhë. Edhe këtu ka depozitim të inerteve, ndërsa nuk dihet nëse vijnë nga Bulqiza apo janë hedhur nga banorët e zonës.
Ligji për menaxhimin e mbetjeve detyron pushtetin vendor të përcaktojë një pikë për grumbullimin e inerteve dhe të gjithë ata që i prodhojnë e i depozitojnë, paguajnë një tarifë. Mbase kjo e fundit është arsyeja që ato hidhen në mënyrë të fshehtë, ndërsa pritet që autoritetet të hetojnë rastet në fjalë dhe të mos lihet pa u ndëshkuar ky krim mjedisor.