IDENTIFIKIMI, DOKUMENTIMI DHE PROMOVIMI I ELEMENTEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE JOMATERIALE NË QARKUN DIBËR

IDENTIFIKIMI, DOKUMENTIMI DHE PROMOVIMI I ELEMENTEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE JOMATERIALE NË QARKUN DIBËR

Krahina e Matit mbart një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, ku ndërthuren historia, arkitektura tradicionale, zejet, veshjet popullore dhe zakonet e trashëguara ndër breza. Nga kullat karakteristike dhe elementet e dekorimit të tyre, tek kostumet popullore dhe mënyra e jetesës së komuniteteve, Mati ruan ende gjurmë të një identiteti të veçantë kulturor. Por shumë prej këtyre vlerave kërkojnë dokumentim dhe studim, për të garantuar që ato të mos humbasin me kalimin e kohës. Kjo synohet të arrihet përmes projektit “Kultural”, të qendrës POEC ku me mbështetjen e Bashkimit Evropian, po punon për identifikimin, dokumentimin dhe promovimin e elementeve të trashëgimisë kulturore jomateriale të Qarkut Dibër, duke përfshirë edhe vlerat e pasura kulturore të krahinës së Matit. Studiuesi dhe etnologu Artan Kurti sjell në vëmendje pasurinë e trashëgimisë kulturore të Matit, duke u ndalur tek elementet që e bëjnë këtë krahinë të veçantë. Pasuria kulturore e Matit nuk lidhet vetëm me trashëgiminë materiale, por edhe me mënyrën e jetesës, zakonet, folklorin dhe praktikat tradicionale që janë ruajtur ndër breza. Sipas Kurtit, pozita qendrore e kësaj krahine ka ndikuar në ruajtjen e shumë elementeve autentike të kulturës shqiptare. Një prej fushave ku kjo pasuri shfaqet më qartë janë veshjet popullore. Studiuesi ka dokumentuar ndër vite ndryshimet dhe veçoritë e kostumeve tradicionale të zonave të ndryshme të Matit, duke evidentuar një larmi të madhe sidomos tek veshjet e grave. Por krahas përpjekjeve për rikthimin dhe promovimin e veshjeve tradicionale, studiuesi ngre shqetësimin se riprodhimi i tyre pa njohur elementet autentike mund të çojë në humbjen e identitetit të tyre. Brenda kësaj pasurie të gjerë kulturore, një vend të veçantë zë zona e Gurit të Bardhë, e cila sipas studiuesit përfaqëson një prej hapësirave ku janë ruajtur elemente të rëndësishme dhe autentike të trashëgimisë së Matit. Ruajtja e trashëgimisë kërkon përfshirjen e brezave të rinj. Një shembull i tillë ishte aktiviteti i organizuar në vitin 2015 me nxënësit e shkollave të Matit. Sot, veshjet tradicionale janë rikthyer në një trend edhe në dasma e aktivitete kulturore, por studiuesi ngre shqetësimin për ruajtjen e autenticitetit. Dokumentimi i trashëgimisë kulturore të Matit është një proces i domosdoshëm për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për t’ua transmetuar brezave të rinj vlerat e krijuara ndër shekuj.