44-vjeçari Tomor Xhemali, nga fshati Fushë e Vogël, në Njësinë Maqellarë të Dibrës, pasi mori eksperiencë dhe blegtori nga Greqia, tashmë ka krijuar fermën e tij. Tomori na tregon se për shumë vite ka emigruar në vende të ndryshme si në Itali, Gjermani e Greqi, por në fund ka vendosur të kthehet në vendlindje dhe të investojë. 44-vjeçari thotë se ka blerë dele në Greqi e me to ka krijuar një tufë, deri në 150 krerë. Ai është i kënaqur me këtë punë që bën pasi thotë se nxjerr të ardhura të mjaftueshme dhe në mbrëmje sërish je pranë familjes tënde.

  Nga ana tjetër, Tomor Xhemali kërkon mbështetjen e institucioneve shtetërore për ndërtimin e një stalle për tufën e deleve, pasi vetë thotë se e ka të pamundur ekonomikisht. Ai shprehet se dëshiron ta rrisë tufën e bagëtisë, por i mungojnë mjediset për t’i mbajtur gjatë dimrit.

44-vjeçari Tomor Xhemali ju bën apel të rinjve që të rikthehen nga emigrimi dhe të investojnë në vendin e tyre, sepse në vendin tënd jeta shijohet më shumë.