Vendi ynë është përfshirë nga një valë i nxehti ekstrem me temperatura që kanë arritur në mbi 40 gradë Celsius. Edhe kjo e mërkurë solli temperatura maksimale ku në Mat termometri arriti në vlerën e 40 gradëve. Mjekët këshillojnë që të tregohet shumë kujdes në këto ditë të nxehta të korrikut. Ekspozimi në diell në orët e pikut të vapës mund të jetë me rrezik për disa kategori personash.
Edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju ka bërë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm. Këshillohet që qytetarët të mbajnë shtëpinë të freskët dhe temperatura e ambientit duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Këshillohet të vishen rroba të lirshme, me materiale pambuku. Të pihet rregullisht ujë dhe lëngje deri në 2 litra dhe të shmanget alkooli, kafet e tepërta dhe sheqeri. Rekomandohet të konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë. Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët. Duhet të shmangen aktivitetet fizike me intensitet të lartë.
Grupet më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë të moshuarit, foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si: sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, thyreotoksikoza, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, sëmundjet mendore, sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka, gratë shtatzëna etj.