Si shumë banorë përgjatë rrugës së Arbrit nga Maqellara deri në Tiranë, edhe Ismail Biçi nga fshati Bllatë e Poshtme në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë e Dibrës, ka dalë anash rrugës për të shitur prodhimet bujqësore të familjes së tij. Por, Ismaili shprehet se pak ditë më parë atij i ka shkuar policia e shtetit dhe i ka kërkuar të heqë barakën e ndërtuar anash rrugës me argumentin se është ndërtim pa leje. Por sipas tij, kjo kërkesë e uniformave blu nuk ka të bëjë me ndërtimin, por me një deklaratë të pak kohëve më parë të tij në media ku kërkonte që të merrte kompensim financiar për rrugën e Arbrit, e cila i ka prishur tokën bujqësore dhe ndërtimin e një nënkalimi për të gjithë fshatin. Sipas, Ismail Biçit kjo është arsyeja e vërtetë e kërkesës së policisë për prishjen e barakës pasi kjo e fundit, sipas tij, nuk mund të quhet ndërtim pa leje për sa kohë nuk është përdorur beton që futet tek objektet e ndërtimit pa leje.

Nga ana tjetër, Ismail Biçi shprehet se si baraka e tij ka edhe shumë të tjera përgjatë kësaj rruge dhe nuk jua kanë shembur. Ai deklaron se këtë barakë e përdor vetëm për prodhimet e tij bujqësore dhe jo si pikë biznesi për blerje e rishitje të produkteve.