Artistë, miq e familjarë, por edhe shumë qytetarë matjanë, i dhanë lamtumirën e fundit “bilbilit” të këngës matjane, Feride Kurti. Homazhet në nder të saj u bënë në hollin e Muzeut Historik Mat, si për të dëshmuar se Feride Kurti ishte Ajo që la gjurmë në historinë e muzikës popullore qytetare matjane për më se gjysmë shekulli.
Në orën 10.00 erdhën për të bërë homazhe në nderim të “Qytetares së Nderit”, “Mjeshtre e Madhe” Feride Kurtit, si dhe vendosën kurora me lule në emër të Bashkisë Mat, nënkryetarët Myslym Zeneli dhe Flutura Biba, ndërsa në emër të prefekturës, nënprefekti Hasan Pasha dhe administratori i qytetit Burrel, Mexhit Sina etj.
Familjarët, kolegët, përfaqësues të kulturës e të medias dhe miqtë e shumtë që Feridja pati në jetë, mes lotëve ishin bërë bashkë për ta përcjellë për në banesën e fundit artisten që sundoi skenën e këngës matjane.
Feride Kurti nuk vdes, ajo jeton bashkë me këngën matjane. Për artistët bashkëpunëtorë të Ferides, për këngën e artin matjan, kjo është një humbje e madhe, sepse është larguar nga jeta një ikonë e muzikës matjane, që i dha zë Matit në rrafsh kombëtar. Feride Kurti do të mbahet mend, si artistja që frymëzoi breza të tërë këngëtarësh, ndërsa ia dedikoi gjithë jetën këngës, duke lënë pas histori në muzikën shqiptare. Ata i përcollën ngushëllime familjes dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të ikonës së këngës matjane. Repertori i Feride Kurtit mbetet nga më të pasurit e këngëtarëve tanë më të mrekullueshēm.
Më pas, kortezhi i gjatë i qytetarëve përcolli për në banesën e fundit, në fshatin Burrel, bijën e Matit, që e ngriti në piedestalin e nderit, për aq kohë sa zëri i saj oshëtiu në skenat e këngës e të festivaleve.
“Bilbili” i këngës matjane ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare. Feride Kurti la prapa një karrierë jashtëzakonisht të pasur artistike, me shumë kryevepra të muzikës popullore qytetare, duke pasuruar repertorin me mbi 60 këngë, nga më të bukurat, siç janë: “Cucë e bukur moj matjane”, “Rashë në shartashi”, “Ditë korriku `31”, “O florini i vogël”, “A e mban mend o e vogël-o”, “Liqeni i Ulzës”, “Kur fillon dielli me ra”, “Më shkon rrugës porsi era”, “Laçi, Bruçi dhe Uraka”, “Lufton Mati për liri”, “Moj ushtria popullore”, këngë kushtuar Vasil Laçit e shumë e shumë të tjera.
Nisur nga këto vlera që i dha Matit e këngës matjane në veçanti, Bashkia Burrel e ka nderuar Feride Kurtin me titullin “Qytetare nderi”. Ndërsa Presidenti i Republikës i ka akorduar titullin “Mjeshtër i Madh”.
Më 22 korrik 2023, ikona e muzikës matjane Feride Kurti ndërroi jetë, por emrin dhe veprën e saj, Mati dhe e gjithë Shqipëria, do ta nderojnë gjithmonë.
MAT TELEVIZION,
23 korrik 2023