Ky është Sabit Pali nga fshati Dipjakë i Njësisë Administrative Sllovë në Bashkinë e Dibrës. Prej tre muajsh Sabiti nuk ka asnjë lajm nga djali i tij i cili dyshohet se është humbur me 20 Maj të këtij viti teksa mblidhte bimë medicinale në bjeshkët e malit të Korabit. Babai i 18 vjeçarit tregon se aid he djali i tij kishin dalë për të mbledhur bimë medicinale ku me lekët e tyre, Ardiani do të bënte kartën e identitetit me të cilën do të paraqitej në provimet e maturës shtetërore. Sabiti akuzon instancat shtetërore deri tek kryeministri se nuk ka bërë asgjë për gjetjen e djalit Ardian Pali, madje sipas tij strukturat tona shtetërore nuk kanë ndihmuar ato të shtetit fqinj të Maqedonisë së Veriut të cilat kanë kryer kontrolle të shumta nga toka dhe ajri. Ai ju bën apel autoriteteve të vazhdojnë kërkimet për gjetjen e djalit të tij të vetëm.
Që prej datës 20 Maj, Ardian Pali është në listën e personave të humbur, ndërsa në atë kohë për gjetjen e tij u angazhuan rreth 100 burra nga fshati Dipjakë.