Megjithëse nuk ka trashësi të madhe të dëborës në rrugët e zonave rurale, temperaturat e ulta gjatë natës kanë bërë që të ketë ngrica të mëdha.
Banorët e fshatit Xibër Murrize, në Njësinë Administrative Xibër të Bashkisë Klos, për shkak të ngricave detyrohen të lëvizin në këmbë, pasi mjetet e transportit të pasagjerëve e kanë të pamundur të futen në lagjet e këtij fshati. E vetmja rrugë që funksionon është ajo e zallit deri në hyrje të fshatit, ndërsa më pas banorët detyrohen të ecin në këmbë për tek banesat e tyre.
Jashtë kameras, banorët kritikojnë autoritetet lokale që në rrugët e fshatit Xibër Murrize duhej të kishin dërguar skorje apo kripë, para se të nisnin ngricat, pasi në këtë mënyrë nuk do të paralizohej lëvizja e mjeteve të transportit të pasagjerëve.
Ata shtojnë se deri tek rruga e Arbrit në bajpasin e Murrizit duhet të ecin në këmbë afro 1 orë, por ka lagje që janë akoma më larg dhe duhet të ecin më shumë.
Për momentin, në rrugën e fshatit Xibër Murrize mund të kalojë vetëm ndonjë automjet i posaçëm që të jetë “katër herë katër” dhe i pajisur me zinxhirë, pasi prania e akullit në shumë pika, rrezikon t’i nxjerrë nga rruga automjetet.