Tomori blindoi vendin e dytë, e megjithatë misioni vazhdon. Për të siguruar elitën, duhet të kalojnë edhe dy ndeshje shtesë. E para do të luhet më 26 maj përballë Burrelit dhe vetëm nëse fitojnë, do të kenë të drejtën që diskutojnë ngjitjen me të 8-ën e Kategorisë Superiore. Megjithatë, në Berat duhet t’i hedhin hapat me radhë.
Vëmendja tashmë është përqendruar te matjanët. Stërvitja ka nisur direkt dje dhe motivimi në radhët e grupit ishte maksimal. Koha nuk premton, por vetëm të mërkurën e ardhshme do të zbresin në fushë. Për të karikuar më shumë grupin, mendon “bomberi” Mikel Canka. Ai arriti një sukses personal, u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit. Me 15 rrjeta të realizuara fitoi “betejën” me Xhuliano Skukën e Korabit.
Sulmuesi është më shumë se i lumtur për këtë trofe, por të kompletuar do ta quante veten vetëm kur të ngjisë zyrtarisht Tomorin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai paralajmëron se ka rezervuar ende gola, që do t’u shërbejnë beratasve për të kapur misionin më të madh: elitën. “Nuk dua ta fsheh lumturinë për këtë sukses. Jam më shumë se i kënaqur që u kurorëzova golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë dhe atë dua ta ndaj me familjen time që më ka qëndruar gjithnjë pranë, por edhe me stafin teknik e atë drejtues dhe mbi të gjitha me skuadrën.
Pa këta të fundit, nuk do ia dilja. Nuk dua të lë mënjanë tifozërinë beratase dhe miqtë e mi të ngushtë lushnjarë, që gjatë gjithë kampionatit nuk ma kanë kursyer mbështetjen. Është e kuptueshme që ky sukses është si ajo ‘gota’ e mbushur përgjysmë. Si sulmues dhe kapiten i Tomorit më duhet që të angazhohem dyfish, që ta kalojmë me sukses finalen me Burrelin. Do të bëj gjithçka që të ngjitemi dhe mund të them që kam rezervuar ende gola.
Ky qytet e meriton që ta shohë ekipin në mesin e më të mirëve. Unë e besoj maksimalisht që ky grup. Ata janë është plotësisht gati që ta rikthejë Tomorin aty ku e ka vendin. Vetëm atëherë suksesi im personal do të merrte vlera. Premtoj se misioni im për të shënuar ende nuk ka përfunduar, ndaj prisni të firmos edhe më 26 maj përballë Burrelit”, përfundoi lushnjari.