Më 25 Shtator 2024, Hysen Hazis Kuka, një prej figurave më të respektuara të Matit ndërroi jetë dhe këtë të enjte u përcoll për në banesën e fundit me nderime të mëdha. Ky personalitet i spikatur matjan, i lindur më 9 Korrik 1942 në Rremull të Matit, la gjurmë për kontributet e tij të jashtëzakonshme në arsim, sport dhe politikë. Ai u shpall “Qytetar Nderi” i Bashkisë Mat për veprat dhe vlerat e tij të pamohueshme në shërbim të komunitetit.

Hysen Kuka, bir i një familjeje atdhetare, u edukua në frymën e virtyteve malësore të lirisë së shpirtit, diturisë dhe bujarisë. Pas përfundimit të studimeve për zooteknikë dhe kulturë fizike, ai kontribuoi për dekada në edukimin e brezave të rinj në gjimnazet “Haki Fejza” dhe “28 Nëntori” në Mat, ku u dallua për përkrahjen e talenteve të reja dhe përkushtimin ndaj shoqërisë.

Një veprimtar i përkushtuar për demokracinë dhe një intelektual i provave, Hysen Kuka qëndroi gjithmonë në ballë të zhvillimeve politike dhe shoqërore të kohës. Si kryetar i parë i Partisë Demokratike në Mat dhe Martanesh, ai pati një rol kyç në ndryshimin e sistemit shoqëror në fillim të viteve ’90, duke drejtuar me ndershmëri dhe pa kompromise. Për kontributet e tij, ai u emërua edhe nënprefekt i parë i Matit.

Hysen Kuka ishte një njeri modest, që kurrë nuk mburrej për vete, por gjithmonë krenohej me fisin dhe i përkushtuar ndaj familjes. Ai e lidhi fatin e tij të jetës me mësuesen e talentuar të ndjerën Farie Kuka “Qytetare Nderi”, që u nda nga jeta më 2 maj 2020.

Intelektuali Hysen Kuka do të kujtohet jo vetëm për kontributin e tij të paçmuar në arsim, sport dhe politikë, por edhe për virtytet e tij të larta njerëzore, përkushtimin ndaj demokracisë dhe për shpirtmirësinë e tij të thellë. Në shoqëri ka lënë gjurmë si një njeri që e vlerësonte çdo kënd pa ngjyra partiake, duke ndërtuar ura komunikimi dhe mirëkuptimi brenda komunitetit. Me largimin nga kjo jetë e intelektualit të vlerave të rralla Hysen Kuka, matjanët humbën një nga figurat e tyre më të ndritura, por trashëgimia e Tij do të mbetet e gjallë, duke shërbyer si një shembull frymëzues për brezat e ardhshëm.