Nga kjo e Martë është ndaluar rreptësisht gjuetia e peshkut në liqenet Ulëz e Shkopet. Urdhëri i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndalon me çdo lloj forme gjuetinë e peshkut në basenet ujore Ulëz e Shkopet. Shkak është periudha e shtimit biologjik të peshkut, kryesisht atij Krap. Për këtë arsye, nuk lejohet gjuetia as me rrjetë e as me grep peshkimi. Specialistët thonë se peshku Krap i drejtohet brigjeve për të lëshuar vezët.
Moratorium i gjuetisë do të zgjasë nga data 25 Prill deri me datë 25 Qershor në të dy liqenet, atë të Ulzës dhe Shkopetit. Për të mundësuar realizimin e plotë të procesit biologjik firma që administron hidrocentralin e Ulzës ka vendosur që ta mbajë nivelin e ujit në kuotën maksimale.
Kjo bëhet për shkak se peshku Krap i lëshon vezët në zona me bimësi siç është zona e Rrethe Bazit, Rukajve dhe Urakës.
Strukturat monitoruese të baseneve ujore Ulëz e Shkopet ju bëjnë thirrje gjuetarëve të peshkimit dhe të gjithë banorëve të mos shkelin moratoriumin e gjuetisë së peshkut, pasi në të kundërt do të përballen me të gjitha dispozitat që parashikon ligji.