Besa nuk humb kohë, zyrtarizon trajnerin e ri. Ka qenë vetë Nexhat Bizhdili që e prezantoi Dorjan Bubeqin para ekipit dje. Trajneri zëvendëson Ndriçim Kashamin, që dha dorëheqjen pas humbjes turpëruese në Burrel. Përpara se të kryhej kjo procedurë, presidenti i ka dhënë një “dajak” të fortë ekipit në analizë. Dhe nuk zgjati pak, por 40 minuta. Nuk ka kursyer askënd dhe ka kërkuar reagim urgjent. “Timonieri” i ri preferoi të bashkëpunonte me të njëjtin staf teknik duke konfirmuar zëvendës Meglid Mihanin, Taulant Gurmën si përgatitës portierësh dhe mjekun Amiljano Bizhdili. Përpara se ekipi të niste seanca stërvitore, Bubeqi në fjalën e tij u ka bërë të qarta futbollistëve kërkesat e tij dhe ka theksuar se nuk do të tolerojë askënd. Disiplina ishte kryefjala e tij dhe për këtë ai nuk ngurroi t’ua theksonte se do të zbatonte rregulloren e klubit.