Prej më shumë se tre javësh vendi ynë është i paralizuar në shumë sektor, ku qytetarët i janë bindur qëndrimit në shtëpi për pengimin e përhapjes së Covid-19. Tashmë në vështirësi kanë mbetur familjet në nevojë të cilat kërkojnë mbështetje.
Shumë biznese janë solidarizuar duke ju ardhur në ndihmë, ndërkohë që nuk ka mungur edhe solidariteti i qytetarëve të thjeshtë. 60 pako ushqimore u dhuruan për familjet në nevojë nga emigranti, Bledar Buna. Prej 1 muaji ai është në qytetin e Burrelit, pasi është kthyer nga emigrimi. Duke parë situatën e krijuar ai ka vendosur tju vijë në ndhimë 60 familjeve, të cilat janë identifikuar nga shërbimi social në Bashkinë Mat. Kryetari i Bashkisë, Agron Malaj, falenderoi Bledarin për këtë donacion.
Vetë Bledari thotë se në këto kohë të vështira të gjithë duhet të kontribuojnë pasi familjet pa apo me të ardhura të vogëla ekonomike, kanë nevojë më shumë se kurrë për t’i ndihmuar.
Ndërkohë gjatë këtyre ditëve edhe biznesmen apo qytetarë të tjerë që kanë patur mundësi ekonomike, kanë dhuruar pako ushqimore për familjet në nevojë në Mat.