Janë disa zanate të ndryshme që po shkojnë drejt zhdukjes, e në shumë zona sot ato mungojnë. I tillë është edhe zanati i orëndreqësit që në shumë qytete nuk ofrohet më për shkak se tashmë orat janë elektronike, apo njëpërdorimëshe. Por në Bulqizë ka mbetur i vetmi orëndreqës i cili këtë punë e bën pa ndërprerje prej 30 vitesh. Zenel Duriçi tregon se pasioni i tij për tu marrë me rregullimin e orave, nisi rreth 65 vite më parë kur ai ishte në klasë të katërt. Zeneli na tregon se vazhdoi të merrej me këtë zanat edhe në periudhat e tjera të shkollimit, ndërsa para viteve 90-të e ushtronte me kohë të pjesshme, pasi i duhej të bënte edhe punë të tjera. Megjithatë, orëndreqësi Zenel Duriçi na tregon se për tre dekada me radhë ka bërë vetëm këtë punë, e asnjë punë tjetër.
Zeneli është i vetmi zanatçi në qytetin e minatorëve, e nëse dikujt i prishet ora, e di se ku duhet ta çojë. Ndërkohë për vetë atë, pengu më i madh është që nuk do ta trashëgojë tek fëmijët, pasi ata nuk e pëlqejnë.
Kjo punë, thotë Zeneli e mban gjallë dhe do ta lërë, vetëm kur ta lërë puna atë.