Kjo është banesa e familjes Toçi nga fshati Kovashicë i Njësisë Administrative Shupenzë në Bashkinë Bulqizë. Në këtë shtëpi jetojnë 5 anëtarë të kësaj familjeje. Por objekti nuk është aspak i sigurtë për ta pasi u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019. Muret janë të çara kudo dhe këtë e tregon më së miri drita që depërton brenda dhomave të kësaj shtëpije. Çarja e mureve është mjaft e dukshme, por nga ana tjetër edhe e frikshme. Banesa e cila është e mbuluar me rrasë guri, rrezikon akoma më shumë të shembet pas çarjeve që ka pësuar në çdo cep të saj. E zonja e shtëpisë Rrushe Toçi tregon se rreziku për familjarët e saj është i madh pasi banesa mund të shembet nga momenti në moment. Ajo tregon se ka trokitur në dyert e pushtetit vendor, por nuk ka marrë asnjë përgjigje shprese, por i kanë thënë se nuk ka asnjë rrezik të jetohet në këtë banesë.
Familja Toçi shpreson se një ditë instancat shtetërore do ta marrin seriozisht gjendjen e banesës së tyre, sa ende nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi njerëzore.