Një turist i huaj që e kontaktuam në Bajpasin e Murrizit, pjesë e rrugës së Arbrit, ka ndarë me ne historinë e tij të veçantë gjatë një interviste për “Mat Televizion”. Peter, një ish-inxhinier anijesh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka filluar aventurën e tij me biçikletë nga Mongolia përpara 14 muajsh dhe ka si destinacion përfundimtar Spanjën. Ai ndaloi në Shqipëri pasi kishte dëgjuar shumë për bukurinë e saj dhe mikpritjen e shqiptarëve.

Peter ka lënë punën e tij në SHBA për të eksploruar kultura të reja dhe vende të largëta. Ai ka kaluar një javë në vendin tonë, duke vizituar malet në veri dhe tashmë luginat e Matit. Ai ka vlerësuar mikpritjen dhe ndihmën që ka marrë nga banorët vendas gjatë udhëtimit të tij.

Në një moment të veçantë të udhëtimit të tij, Peter zgjodhi të mos ndjekë rrugën e zakonshme për në Valbonë, por të eksplorojë një fshat të vogël pranë Fierzës, ku zbuloi një komunitet të vogël që jetonte pa energji elektrike gjatë komunizmit.

Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Peter preferon të flejë në një tendë dhe të kampojë, ndërsa për ushqimin shpesh preferon të gatuajë vetë ose të blejë nga tregjet vendase.

Peter është shembulli i aventurierit modern që kërkon të njohë botën dhe të ndajë eksperiencat e tij me të tjerët. Me një sy të hapur për aventurat dhe njohuri të reja, ai po e shfrytëzon udhëtimin e tij për të shpërndarë histori dhe përvoja unike nga Shqipëria.