Ka përfunduar pothuajse e gjitha ura që lidh fshatin Fshat me fshatin Shkallë të Njësisë administrative Xibër, pjesë e rrugës së Arbrit. Firma e cila po zbaton projektin e kësaj rruge ka nisur nga puna për shtrimin e urës, duke i dhënë asaj gradualisht formën përfundimtare.
Mbi urë është hedhur shtresa e parë asfaltike, ndërsa po punohet për ndërtimin e dy trotuareve anësore.
Kompania vijon punën për finalizimin e projektit ku tashmë vëmendja pritet të përqendrohet në asfaltimin e akseve të reja, përfshirë edhe tunelet që ndodhen në fshatrat Shkallë e Fshat të Bashkisë së Klosit.
Kjo urë është ndër veprat më të vështira të cilat ka realizuar firma zbatuese e projektit të rrugës së Arbrit pasi është e lartë 158 metra dhe e gjatë 174 metra. Ndërtimi i kësaj ure nuk ka qenë aspak i lehtë për shkak të terrenit të vështirë në të dy anët e saj. Megjithatë, ura pritet të jetë e kalueshme brenda një periudhe të shkurtër kohore. E vetmja vepër e papërfunduar e rrugës së Arbrit tashmë mbetet tuneli i Murrizes me gjatësi rreth 3.3 kilometra. Edhe në këtë tunel po punohet në të dy anët e tij, ndërsa pritet që fillimisht rruga e Arbrit të jetë funksionale nëpërmjet Bypass-it nga Qafa e Murrizes deri në përfundim të tunelit.