Ka vijuar hedhja e rasatit të peshkut në basenin ujor të liqenit të Ulzës. 40 mijë copë rasat peshku të llojeve, Krap, Umur e Ballgjan janë hedhur sëfundmi për këtë vit për tu pasuar me një tjetër sasi prej 40 mijë copë të tjera të mundësuar nga kompania KURUM që menaxhon HEC-in Ulëz. Në tre vitet e fundit në këtë liqen janë hedhur afërsisht 250 mijë copë rasat, duke shtuar kështu numrin e peshqëve në liqenin e Ulzës. I pranishëm në hedhjen e sasisë së parë për këtë vit ishte edhe Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj. Kryebashkiaku Malaj tha se hedhja e rasatit të Peshkut në këto vite ka rënë rezultatin e saj.

Nga ana tjetër Kryebashkiaku Agron Malaj u shpreh se strukturat vendore po e monitorojnë basenin në çdo kohë duke mos lejuar gjuetinë me mjete të paligjshme por edhe në kohën e shtimit natyral të peshkut.

Drejtori i Hidrocentraleve Ulëz e Shkopet, Erin Ndreca tha se bashkëpunime të tilla me pushtetin vendor do të bëhen edhe në të ardhmen.

Kjo periudhë e hedhjes së rasatit të Peshkut korespondon edhe me periudhën e shtimit natyral dhe mbajtja e nivelit të ujit në pikën maksimale, do të mundësojë shtim të madh të peshkut në liqenin e Ulzës.