Lumi Drin i Zi në Dibër është pothuajse i tharë i gjithi. Shkak për këtë mësohet se është bërë mbyllja e portave të shkarkimit nga ana e Hidrocentralit të Spilesë i cili ndodhet në territorin e shtetit fqinj të Maqedonisë së Veriut. Banorët e fshatit Gjoricë e Poshtme në Bashkinë Bulqizës shprehen se ky është viti i parë që ndodh një gjë e tillë, pasi çdo vit pala maqedonase lejonte daljen e ujit në mënyrë që banorët e Gjoricës të kishin mundësi të vaditnin tokat bujqësore. Por çuditërisht këtë vit ata nuk kanë asnjë informacion se përse ka ndodhur një gjë e tillë në pikun e nevojës për vaditje. Banorët shprehen gjithashtu se nuk është aspak normale që gjatë dimrit të përmbyten nga ujërat e Drinit të Zi e në verë të mos kenë mundësi të vaditin tokat.

Viktor Leka kryetar i fshatit Gjoricë e Poshtme shprehet se mes dy shteteve ka një marrëveshje që uji të lejohet të vijë në stinën e verës. Ndërkohë ai shton se në iformacionet e tija, HEC i Spilesë është në remont dhe uji mund të mos vijë deri në datë 1 Gusht.

Tharja e lumit Drin i Zi, ju ka hequr mundësinë banorëve edhe të lahen gjatë ditëve të nxehta të verës për shkak se ai është pothuajse i gjithi i tharë.