Sapo ka dalë në qarkullim libri monografik “Fisnikët e Matit”, një vepër e rëndësishme e autorësisë së gazetarit, publicistit dhe intelektualit, njëherazi nënprefekt i Matit, Hasan Pasha. Ky botim synon të sjellë një pasqyrë të thellë dhe të detajuar të personaliteteve të shquara matjane, dhe jo vetëm. Libri, i redaktuar nga shkrimtari Hamdi Hysuka, kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat, përfshin portretet e 78 intelektualëve të Matit dhe përtej tij, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e këtij rajoni dhe të Shqipërisë, në fusha të ndryshme, si letërsia, shkenca, mjekësia, arsimi, pushteti vendor, kultura dhe sporti.
Në parathënien e librit, redaktori Hamdi Hysuka, e cilëson këtë botim si një nderim për individët që kanë ndihmuar në zhvillimin e vendlindjes dhe kanë kontribuar për përparimin e kombit shqiptar. Hysuka nënvizon se ata që janë përmendur në këtë vepër janë jo vetëm figura të njohura të Matit, por gjithashtu shembuj të devotshmërisë dhe patriotizmit për atdhenë.
Pasha e nis monografinë “Fisnikët e Matit” me gazetarin dhe publicistin e rrallë Ymer Minxhozi, përfshin figura të njohura në fushën e mjekësisë si Rexhep Klosi, dhe shkencëtarë të njohur si Qamil Xhika. Përveç këtyre personaliteteve të njohura, libri përmend edhe individë të tjerë që, kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e komunitetit matjan. Mes tyre janë mësuesi, drejtuesi i paharruar Mustafa Gjestila, si dhe artistët Imer Neli dhe Feride Kurti. Përveç tyre, figura si Dilaver Kurti dhe Agim Cevani janë nderuar për kontributet e tyre të jashtëzakonshme. Si ish-gazetar i “Mat Televizion” Pasha përshin në “Fisnikët e Matit” edhe Vëllezërit novatorë, bashkëpronarë të “Mat Televizion” Luftim dhe Afrim Vani. Si njohës i mirë i qeverisjes vendore libri përman dhe mjaft figura drejtuesish vendor, përfshirë edhe Kryebashkiakun e suksesshëm Agron Malaj që do të kujtohet ndër breza, si dhe lançon kontributin e mjaft figurave në fusha të tjera për ta përfunduar me atë të “Qytetarit të Nderit”, njeriut human Fatos Valteri.
Hasan Pasha, ka përgatitur këtë monografi duke u mbështetur në njohuri të drejtpërdrejta dhe dokumentacion të pasur. Libri “Fisnikët e Matit” është rezultat i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, duke përdorur edhe rrjetet sociale për të mbledhur reagimet dhe vlerësimet e lexuesve për portretet e përfshira. Kjo ka ndihmuar në pasurimin dhe thellimin e informacionit për figurat që përshkruhen, duke u mundësuar lexuesve të shohin më shumë detaje dhe të kuptojnë vlerën e çdo kontributi.
Në fund të librit monografik, në një rrëfim për jetën e tij, autori përshkruan sfidat që ka përjetuar në karrierën e tij si gazetar dhe në role publike të ndryshme. Ai është lindur dhe rritur në Gjoçaj, ndërsa për 34 vjet ka shërbyer në pozita të ndryshme në rajonin e Dibrës, duke përfshirë agronominë, gazetarinë dhe administratën lokale, ku së fundmi kryen detyrën e nënprefektit të Matit.
“Fisnikët e Matit” i autorit Hasan Pasha, përveçse një libër monografik mund të konsiderohet edhe një testament i përkushtimit dhe kontributit të paçmuar të individëve që kanë punuar e luftuar për zhvillimin e këtij rajoni e më gjerë, dhe një frymëzim për brezat që do të vijnë. Me këtë botim, Hasan Pasha ka realizuar një qëllim të rëndësishëm si intelektual: të ruajë dhe të shpërndajë trashëgiminë kulturore dhe historike të Matit.
“Fisnikët e Matit” është libri i dytë i Hasan Pashës i cili është edhe autor i vëllimit publicistik “Të pathënat e 30 viteve”.