Ndonëse nuk është një rrugë me fluks të ulët lëvizjeje, aksi nga Klosi në Qafën e Buallit, nëpërmjet fshatit Kloskatund, vijon të ketë probleme. Të gjithë ata që përdorin këtë aks rrugor duhet të përballen me probleme të shumta si pasojë e pranisë së gropave kryesisht në segmentin e fshatit Kloskatund. Megjithëse firma mirëmbajtëse ka ndërhyrë disa herë në riparimin e pjesëve të dëmtuara, gropat rikthehen shumë shpejt. Firma fajëson mjetet e tonazhit të rëndë që sipas saj dëmtojnë rrugën, ndërsa nga ana tjetër, drejtuesit e këtyre mjeteve thonë se ecin me tonazhin e lejuar për këto lloj rrugësh. Duke qenë se kalimi i këtyre mjeteve nuk lejohet të kalojnë në rrugën e Arbrit nëpërmjet fshatit Plan i Bardhë e vetmja alternativë për ta është aksi i vjetër, por që edhe këtu përballen me probleme. Por ky nuk është problemi i vetëm që përballen këta drejtues mjetesh të tonazhit të rëndë.

Duke qenë se këto lloj automjetesh do të vazhdojnë të kalojnë në këtë rrugë, drejtuesit e tyre kërkojnë që të merren masa dhe të riparohet rruga, pasi janë taksapagues të rregullt ndaj shtetit.