Hapet zyrtarisht Qendra e DRSHTRR në Burrel, Balluku e Malaj inspektojnë procesin e punës

0
21

Ka nisur punën zyrtarisht Qendra e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Mat. Për të parë nga afër punën që bëhet në këtë qendër ishte Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor Ilir Mëngra dhe Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj. Zv/kryeministrja Belinda Balluku tha se me këtë investim qytetarët e Matit dhe të Klosit kursejnë kohë dhe para pasi u duhej të udhëtonin deri në Dibër për të marrë shërbimet e nevojshme të automjeteve.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ilir Mëngra tha se në këtë Qendër në Mat do të ofrohen të gjitha shërbimet për automjetet, ashtu si në çdo qendër rajonale. Po ashtu, ai u shpreh se në këtë Qendër do të kontrollohen teknikisht edhe automjetet e tonazhit të rëndë, të cilat nuk mund të kontrolloheshin në Dibër.

  Në emër të qytetarëve matjanë, Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj falenderoi zv/kryeministren Balluku dhe Qeverinë shqiptare për këtë investim të domosdoshëm në qytetin e Burrelit.

Qendra e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Mat ka nisur punën që prej ditës së hënë dhe nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 16:00 të pasdites është e hapur në shërbim të qytetarëve.