Hapet Muzeu Historik dhe Kuturor në Klos

0
26

Bashkia e Klosit do të ketë tashmë një Muze historik dhe kulturor të sajin, ku do shihet edhe si një pikë strategjike për zhvillimin e turizmit. I vendosur në shpatin e malit të fshatit Fshat, jo shumë larg kalasë së Petralbës, muzeu do të ketë në vazhdim dyert e hapura për të gjithë vizitorët. Këtë të Mërkurë u bë hapja e këtij Muzeu, nëpërmjet një ceremonie të veçantë të organizuar nga Bashkia Klos. Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të pushtetit vendor, të institucioneve qëndrore në qark, të projektit ndërkufitar me të cilin u financua dhe drejtues të FLAG. Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila theksoi se me hapjen e këtij Muzeu, Klosit i shtohet një tjetër atraksion turistik.

Menaxherja e Programit për Bashkëpunimit Ndërkufitar, Karla Folgoa dhe Drejtori i Organizatës FLAG Ian Uillson, vlerësuan zbatimin e projektit dhe produktin final, i cili është ky muze që do t’i shërbejë zhvillimit të zonës.

Ndërkohë, hapjen e Muzeut Historik dhe Kulturor në Klos e përshëndetën edhe Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër, Alma Selami.

Aktiviteti përurues u shoqërua edhe me interpetime të ndryshme në muzikën popullore të trevës nga nxënës të shkollave të Klosit.