31 Maji ishte vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që në liqenin e Ulzës të mos zhvillohej në asnjë formë gjuetia e peshkut.

Për shkak edhe të reshjeve të vazhdueshme të shirave, niveli i liqenit ishte në kuotë maksimale deri para 1 jave, ndërsa tashmë ka nisur rënia e tij.

Megjithatë, nga 1 Qershori është lejuar gjuetia e peshkut në këtë liqen, veç asaj të paligjshme që në të shumtën e rasteve bëhet me lëndë plasëse apo me elektricitet.

Të kontaktuar nga Mat Tv, drejtues të organizatave të peshkimit thanë se peshkatarët mund të gjuajnë tashmë pasi ka përfunduar faza e shumimit natyral të Peshkut. Por sipas tyre, niveli nuk duhet ulur menjëherë pasi peshqit e vegjël ende nuk mund të largohen nga zonat ku janë zhvilluar.

Gjithsesi, meqë sezoni është hapur, organizata e menaxhimit të Peshkimit Ulëz, pritet që shumë shpejt të mbledhë grupet e peshkatarëve për të ndarë zonat e gjuetisë, që jo vetëm do të jenë hapsirat ku ata do të gjuajnë, por edhe do të jenë përgjegjës për ndalimin e gjuetisë së paligjshme në ato zona.