Banorët e fshatit Mishtër në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit ankohen për mungesë të ujit vaditës. Sipas banorëve, që prej vitit 1990 në këtë fshat nuk është vaditur më, duke bërë që pjesa më e madhe e tokave të punueshme të lihen djerr.
Banorët shprehen gjithashtu se me gjithë kërkesat e tyre të bëra në mënyrë të vazhdueshme ndaj pushtetit vendor në këto 29 vite, ende nuk është realizuar që në fshat të shkojë uji vaditës. Duke qenë se shpresa që ky fshat të bëhet me ujë vaditës, është drejt shuarjes, banorët thonë se të rinjtë po marrin rrugët e emigrimit.
Banorët kërkojnë që pushteti vendor të sigurojë ujin vaditës, në të kundërt ky fshat, do të braktiset totalisht brenda pak vitesh.