Fshatrat po braktisen çdo ditë e më shumë për shkak se rinia merr rrugët e emigracionit. Ndonëse në fshatin Gurrë e Vogël janë të gjitha kushtet për zhvillimin e bujqësisë, tokat janë pjesa më e madhe e tyre djerr. Në arat e këtij fshati sytë të zënë vetëm moshën e tretë që mundohet të bëjë ndonjë punë.

Të moshuarit vazhdojnë të punojnë me aq sa fuqi kanë, por nuk mund ta kultivojnë të gjithë tokën bujqësore. Ata shprehen se ndonëse kanë ujë vaditës, kostoja e lartë e punimeve të tokës është një faktor, ndërsa më kryesori mbetet largimi i të rinjëve. Banorët e Gurrë së Vogël thonë gjithashtu se me bujqësi, rinia nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj, ndaj dhe zgjedhin rrugët e emigrimit si e vetmja mundësi për të siguruar një ekonomi të tyren.

Ndonëse në fshatin Gurrë e Vogël janë kushtet për tu marrë me bujqësi, në shumë fshatra të tjerë mungon uji vaditës, duke bërë që shpresa e të rinjëve të nisin jetën e tyre aty të shuhet.