Edhe banorët e fshatit Gurrë e Madhe në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit, ankohen për dëmet që po ju shkakton moti me shi. Sipas banorëve, nuk është parë asnjëherë që të biejë pa ndërprerje shi për më shumë se një muaj e gjysmë.
Në këto kushte banorët shprehen se janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë qoftë në të mbjella e qoftë në pemtari. Ata tregojnë se nuk po arrijnë dot të mbledhin as barërat pasi po kalben nga shirat e pandërprera. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe tek variteti i zonës tek qershia pasi frutat e saj janë kalbur totalisht.
Ndonëse vitet e kaluara fermerët janë ankuar për thatësirën e tejzgjatur në këtë periudhë dhe mungesën e ujit vaditës, këtë vit ankesa shkon për lagështirën e madhe.