20 familje të lagjeve “Pjetri” e “Alla” në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit janë të izoluara prej më shumë se dy javësh. Shkak për këtë është bërë shembja e dy masive dheu në rrugë, të cilën e kanë bllokuar totalisht. Shembja e dherave po rrezikon banesa dhe stallat e bagëtisë të cilat ndodhen pranë rrugës. Banorët shprehen se prej dy javësh nuk është bërë asnjë ndërhyrje nga ana e Bashkisë së Klosit megjithëse janë njohur me situatën 2 herë. Banorët jetojnë me frikën se masivi i dheut për pak do të bjerë mbi banesën e tyre. Ata i kërkojnë pushtetit vendor ndërhyrje të menjëhershme.
Ndërkohë, Altin Pjetri të cilit i rrezikohet stalla e bagëtive, është detyruar që lopën bashkë me viçin t’i mbajë në një prej dhomave të banesës së tij. Altini shprehet se nuk mund të rrezikojë ta lërë lopën në stallën e cila po shembet, pasi është e vetmja pasuri që ka dhe me të ushqen fëmijët.
Altini kujdeset që të mos i rrëzohet lopa në çimenton e banesës e për këtë ai i shtron një rrugicë. Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrasktrukturës në Bashkinë Klos, thanë për Mat Tv se për zgjidhjen e këtij problemi do të ndërhyhet shumë shpejt.