Prania e gropave në rrugën që të dërgon nga Klosi tek ura e fshatit Fullqet mbeten një problem shqetësues për të gjithë drejtuesit e automjeteve që e përdorin këtë aks. Ndërkohë, prani të gropave ka edhe mbi urën që lidh 4 fshatrat Fullqet, Dars, Bel e Unjate. Drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët shprehen se kjo situatë është prej të paktën dy vitesh, ndërsa më problem është kur ka reshje shirash. Kjo pasi gropat mbushen me ujë dhe nga përdoruesit nuk llogaritet thellësia e tyre, duke përbërë rrezik për sigurinë e tyre. Nga ana tjetër ata shprehen se prania e vazhdueshme e ujit mbi urë mund të bëhet rrezik edhe për dëmtimin e urës, ndaj kërkojnë marrjen e menjëhershme të masave nga pushteti vendor.
Prani të gropave në rrugë ka edhe tek ish-pazari i gjësë së gjallë. Edhe aty situata është e njëjtë pasi nuk ka patur një rehabilitim të sheshit apo rrugës që të dërgon në 4 fshatrat e lartpërmendur.
Drejtues të Drejtorisë së Shërbimeve pranë Bashkisë Klos thanë se shumë shpejt në këtë rrugë dhe urë do të ndërhyhet me investime rehabilituese, duke parandaluar agravimin e mëtejshëm të situatës.